Lajmet e fundit
Nga punimet e Kuvendit
E Enjte, 28.03.2019
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vazhduar punimet me seancën e dytë të jashtëzakonshme, kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli.
Seanca është thirrur nga kryeministri Ramush Haradinaj, për shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndalimin e Lojërave të Fatit. Kryeministri Haradinaj, para deputetëve prezantoi projektligjin duke kërkuar që i njëjti të votohet.
"Përmes këtij projektligji ndalohen të gjitha lojërat e fatit me përjashtim të Lotarisë së Kosovës. Ju ftoj që ta miratoni këtë projektligj", tha Haradinaj.
Pas një pauze Kuvendi filloi punimet, me paraqitjen e deputete, Fatmire Kollqaku, e cila në shenjë solidarizimi të përvjetorit të masakrës së familjes Bogujevci, nga Podujeva, paraqiti një punim dore të fëmijëve të Podujevës në foltore. Përmes këtij punimi, Kollqaku, në emër të deputetes Saranda Bugujevci, dhe fëmijëve, përçoi këtë mesazh: "Mos të harrohen fëmijët viktima të luftës dhe të bëhet më shumë për ta në mënyrë institucionale".
Në vazhdim, përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare, LDK, PDK, VV, PSD, AAK, Nisma dhe 6+, diskutuan lidhur me përmbajtjen e projektligjit, ndërsa deputetë të tjerë dhanë vërejtje e propozime përkitazi me nene të caktuara të tij.
Pas shterimit të debatit, Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë projektligjin, ndërsa nëpërmjet shmangies nga rregullorja, i hapi rrugë shqyrtimit të tij dytë po ditën e sotme.
Pas një pauze, Kuvendi u mblodh serish në seancë të jashtëzakonshme dhe me 69 vota për, miratoi në shqyrtim të dytë Projektligjin për ndalimin e Lojërave të Fatit.