Lajmet e fundit

Veseli: Institucionet duhet pastruar nga abuzuesit

E Enjte, 28.03.2019




Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka paralajmëruar masa drastike në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në përmbyllje të projektit të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe realizuar nga forcat italiane Carabinieri që kanë mbështetur Policinë e Kosovës në ngritjen e kapaciteteve në luftën kundër dukurive negative, Veseli tha se Kosova ka shënuar progres por do të vazhdojë edhe më fuqishëm të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Ai tha se në cilën matje të opinionit publik rezulton se qytetarët e Kosovës ndjehen thellësisht të brengosur me korrupsionin, me nepotizmin dhe klientelizmin në institucionet publike, ndërsa shtoi se ka ardhur koha që të veprohet kundër këtyre dukurive negative, pasojat e të cilave janë të shumëfishta.

Veseli tha se institucionet e shtetit duhet të pastrohen nga abuzuesit.

"Hajnat e kanë vendin në bankën e të akuzuarve, e jo në shtet. Individët me përgjegjësi zyrtare, që në vend të luftimit të krimit të organizuar, kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me të, ju them se nuk do të mund të vazhdojë më tutje. Do t'i ndalim. Kushdo qofshin ata. Pavarësisht përkatësive partiake apo etnike", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit shtoi se qytetarët e këtij vendi nuk kanë luftuar për të krijuar një shtet që në mënyrë të paligjshme favorizon disa, duke zvogëluar shanset për të tjerët.

"Ne kemi zgjedhur të jetojmë në ekonominë e lirë të tregut dhe kjo nënkupton krijimin e një elite ekonomike, por kjo elitë duhet ta zhvillohet nga sipërmarrja e ligjshme dhe prodhimi i sektorit privat, e jo përmes zhvatjes së pasurisë publike, familjarizimit të posteve publike dhe keqpërdorimit të tyre. Duhet ta themi haptas: të korruptuarit janë aleatë në pasoja me Serbinë. Pse e them këtë? Dhe çka do të thotë ‘aleatë në pasoja'? Nëse Serbia po përpiqet me të gjitha mjetet të dëmtojnë shtetësinë e Kosovës në planin ndërkombëtar, mentaliteti korruptiv është duke e dëmtuar integritetin e brendshëm të shtetit të Kosovës", tha Veseli.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryeparlamentari Veseli tha se Kosova ka dhënë shumë njerëz dhe ka bërë shumë sakrifica, prandaj askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të shtetit dhe ta marrë shtetin me vete. Shteti, siç tha ai, u takon vetëm qytetarëve.

"Kosova nuk ka rini për të humbur, as në lindje as në perëndim. Partnerët tanë të BE-së të mos i marrin të rinjtë tanë vetëm si punëtorë, por të lejojnë liberalizimin e vizave. Nuk jemi as më të mirë, por as më të këqij se ju. Jemi evropianë, por fati historik na ka lënë prapa. Nuk është e drejtë e askujt të na thotë se jemi evropianë të rangut të dytë. Liberalizoni vizat dhe ne po ashtu do të marrim përgjegjësitë tona", theksoi Veseli.

 

 

Veseli: Institucionet duhet pastruar nga abuzuesit Veseli: Institucionet duhet pastruar nga abuzuesit Veseli: Institucionet duhet pastruar nga abuzuesit Veseli: Institucionet duhet pastruar nga abuzuesit