Lajmet e fundit
Qytetarë të Skenderajt shprehin shqetësimet dhe kërkesat para deputetëve të Kuvendit të Kosovës
E Mërkure, 20.03.2019
Kësaj radhe qytetarët e Skenderajt patën rastin të jenë pjesë e debatit me deputetët të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Aktiviteti Ditët e Kuvendit që organizohet nga Forumi për Transparencë Parlamentare, me përkrahjen e NDI, këtë herë në panel kishte deputetët: Teuta Haxhiu, Mergim Lushtaku, Bekim Haxhiu dhe Salih Zyba.
Më shumë se 60 qytetarë ishin mbledhur në Kuvendin Komunal për ti paraqitur shqetësimet dhe kërkesat e tyre tek përfaqesuesit që kishin perballë.
Pyetjet apo problemet të cilat ata i theksuan, ishin: dëmet e luftës, gjendja e gjykatave në vend, viktimat e dhunimeve gjatë luftës, projekti Kosova e re, vdekjet dhe lëndimet e punëtorëve në vendin e punës, migrimi i të rinjve nga vendi, nepotizmi, ndërtimi i sallës së sportit në Skenderaj, gjendja e klubeve të volejbollit të kësaj komune, zbatimi i ligjit, liberalizimi i vizave, mungesa e investimeve strategjike, bashkëpunimi në mes deputetëve dhe asambleistëve, ndërprerja e pagesës së rrymës nga qytetarët e Kosovës për komunat në veri, diskriminimi në paga i punëtorëve, punësimet në Telekom, KQZ-ja, zhvillimi ekonomik, ndërprerja e punimeve për ndërtimin e kompleksit banesor për familjet e dëshmorëve, ndalimi i pirjes së duhanit në vendet e mbyllura, aksidentet fatale në komunikacion (vendosja e radarëve elektronikë dhe shtimi i patrullave policore), ndërtimi i gjimnazit Hamëz Jashari, mosfunksionimi i sistemit shëndetsor, ligji për sponzorizim, strategjia për rini, ligji për vullnetarizëm të njihet si pervojë e punës, projektet e reja për zhvillimin ekonomik të kësaj komune, mbyllja e lojërave të fatit afër shkollave.
Por, ajo që u diskutua më tepër nga të pranishmit, sidomos nga studentët, ishte krijimi i vendeve të reja të punës për të rinj, vecanërisht diskriminimi që ju bëhet këtyre të fundit për shkak se nuk ju ofrohet mundësia e krijimit të përvojes së punës, gjë që kërkohet në konkurse të punës.
Nga ana tjetër, qytetarët u shprehën se do ishte e udhës edhe krijimi i një institucioni apo sistemi që mban përgjegjesi dhe që do jepte llogari tek qytetarët.
Debati i sotëm, sipas qytetarëve të Skenderajt, ishte i nevojshëm dhe i qëlluar dhe, sipas tyre, do ishte mirë që takie të tilla të organizoheshin më shpesh. Deputetët ishin falenderues për qytetarët që kishin ardhur në këtë debat.