Lajmet e fundit

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Agjencinë Kundër Korrupsionit

E Enjte, 14.03.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka vizituar sot Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Gjatë kësaj vizite, kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu dhe zëvendëskryetari i parë, Hajdar Beqa, janë pritur në takim nga drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.
Qëllimi i këtij takimi ishte mbikëqyrja e zbatimit te Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
Gjatë takimit, kryetarja Haxhiu theksoi se ky ligj është miratuar vitin e kaluar, i cili parasheh që të caktohet zyrtari përgjegjës për këtë fushë. Ajo tha se do të ishte mirë që Agjencia Kundër Korrupsionit të njoftojë Komisionin për Legjislacion... se cilat institucione kanë caktuar zyrtarët përgjegjës dhe cilat institucione kanë nxjerrë rregullore të brendshme se si të trajtohet dhe parandalohet konflikti i interesit.
Gjithashtu, nga anëtarët e komisionit u shpreh interesim se sa po bëhet fushatë sensibilizuese për këtë ligj.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, tha se Agjencia posedon listën e institucioneve të cilat kanë caktuar zyrtarët përgjegjës. Ai shtoi se u është rekomanduar institucioneve që këta zyrtarë të jenë kryesisht nga departamenti ligjor dhe nga departamenti i burimeve njerëzore. Havolli konfirmoi se lista do t'i dërgohet anëtarëve të komisionit.
Në vazhdim, Havolli njoftoi anëtarët e komisionit për punën që është duke bërë Agjencia Kundër Korrupsionit në ndryshimet legjislative, kontrollin e deklarimit të pasurisë, ngritjen e kapaciteteve të Agjencisë në forcimin e mekanizmave aktual në parandalimin dhe luftimin sa më efikas të konfliktit të interesit nëpër institucione. Kjo, sipas tij, për shkak se të gjitha rastet që do duhej të trajtoheshin në nivel të institucioneve, po procedohen në AKK dhe në këtë fazë agjencia është jashtëzakonisht e ngarkuar. Po ashtu, ai bëri të ditur se për shkak të mosnxjerrjes së rregulloreve të brendshme nga institucionet që janë të obliguara sipas ligjit, AKK-ja është duke hartuar dy rregullore bazë për të ndihmuar institucionet në këtë drejtim.
Gjatë këtij takimi, si problem u theksua çështja e nivelit lokal në raport me rastet e trajtimit të konfliktit të interesit.
Anëtarët e komisionit në bazë të informatave të marra për nivelin e zbatimit të ligjit do të vazhdojnë takimet në institucionet tjera, për të parë nga afër sfidat e zbatimit të këtij ligji.

 

 

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Agjencinë Kundër KorrupsionitNga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Agjencinë Kundër KorrupsionitNga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Agjencinë Kundër KorrupsionitNga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Agjencinë Kundër Korrupsionit