Lajmet e fundit
Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sala Berisha Shala, është duke marrë pjesë në samitin e PDAC-së
E Marte, 05.03.2019
Në samitin e sivjetmë të PDAC-së, i cili po mbahet në Toronto të Kanadasë, është duke marrë pjesë edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Sala Berisha-Shala, njëherësh kryetare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, e cila së bashku me delegacionin shoqërues zhvilloi një takim me kreun e Odës Ekonomike të Ontarios, Rocco Rossi.
Në këtë takim u diskutua për ambientin miqësor për investime të huaja që ofron vendi ynë.
Me këtë rast, Rossi nga ana e tij shprehu interesim për resurset natyrore në fushën e minierave dhe mineraleve që ofron vendi ynë.
Marrëveshja për mbrojtjen e investimeve të huaja që ka hyrë në fuqi në dhjetorin e vitit të kaluar, është një garancë shtesë për sigurinë e investimeve kanadeze në Kosovë, u tha gjatë takimit.
Ndërkaq, dje në hapjen ceremoniale të PDAC-së, bashkë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe Konsullin e Përgjithshëm, Donat Syla, u zhvilluan biseda me presidentin e PDAC-së, Glenn Mullan dhe Rodney Thomas, ish president i PDAC-së, aktualisht zv. President i Generationmining.
Gjatë këtij takimi, delegacioni i Kosovës i njoftoi ata për infrastrukturën ligjore që është duke u përgatitur për Trepçën si shoqëri aksionare, hap ky që do të hapë rrugën e investimeve në këtë gjigant ekonomik të Kosovës.
Nesër do te këtë dinamikë edhe më të madhe të aktiviteteve, ku pritet ardhja e shumë investitorëve të interesuar për të marrë pjesë në aktivitetin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Canada Trade Link.