Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...
E Marte, 12.02.2019
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Albulena Haxhiu, kryetare, shqyrtoi në parim i Projekt Kodit të Procedurës Penale nr. 06/L-151.
Pas diskutimeve, Projekt Kodi u procedua për në seancë plenare, pa përkrahjen e komisionit, ngase për miratimin e tij votuan katër anëtarë të komisionit, ndërsa katër të tjerë abstenuan.
Por komisioni i dha mbështetje raportit plotësues me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr.06/L-088 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-042 për Rregullimin e shërbimeve të ujit të datës 11.12.2018, si dhe formoi grupin punues për monitorimin e Ligjit nr. 06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Në mbledhjen e sotme, Komisioni i dha përgjigje z. Flamur Murtezi nga Gjilani, në lidhje me anulimin e konkursit të shpallur nga Ministria e Drejtësisë, për pranimin e 120 zyrtarëve korrektues në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Komisioni në përgjigjen e tij, ndër të tjera ka thënë se nuk është kompetent për anulimin e konkursit të shpallur nga Ministria e Drejtësisë dhe se procedura për rekrutimin e zyrtarëve korrektues është përcaktuar me Rregulloren nr.13/2018, për procedurën e rekrutimit të zyrtarëve korrektues në Shërbimin Korrektues të Kosovës.