Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…
E Mërkure, 08.11.2017
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrje të Agjensisë Kundër Korrupsion, të kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, pikë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me kandidatet për anëtarë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Me këtë rast, anëtarë të Komisionit pasi dhanë vërejte të shumta u dakorduan që këtë çështje ta heqin nga rendi i ditës dhe të presin nga qeveria një qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje.
Sa i përket shqyrtimit të propozimit të Fakultetit Juridik për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Komisioni vendosi që lidhur me këtë të kërkojë nga propozuesi (Fakulteti Juridik) Cv-të e kandidatëve të propozuar, si dhe të sqarojë çështjet lidhur me procedurat e përzgjedhjes së këtyre kandidatëve.
Krejtësisht në fund, Komisioni shqyrtoi në parim edhe Projektligjin nr. 06/L-009 për Ndërmjetësim, duke e përkrahur atë për procedim në séancë plenare.