Lajmet e fundit
Seanca e Kuvendit
E Marte, 31.10.2017
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-125 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, ishte pika e vetme e rendit të ditës gjatë seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryeparlamentari, Kadri Veseli.
Raportin me amendamente të këtij Projektligji e paraqiti Lumir Abdixhiku, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, i cili me këtë rast, theksoi: "Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar projektligjin dhe kërkesat buxhetore të organizatave buxhetore, propozimet e Ministrisë së Financave, si dhe amendamentet e propozuara nga deputetët". Sa i përket amendamenteve të deputetëve ato kanë qenë 8 gjithsejtë, sqaroi ai më tej, ndërkaq, falënderoi ministrin e financave, Bedri Hamza, për mirëkuptim lidhur me amendamentin e 12 të projektligjit, të propozuar nga Komisioni për Buxhet.
Ai sqaroi se amendamenti 12 ka të bëjë me sigurimet shëndetësore, dhe mjetet e parapara arrijnë shumën 11 milionë euro. Këto mjete, vijoi Abdixhiku, do të përdoren për blerjen e barnave esenciale dhe shërim jashtë vendit.
Në fund të fjalës së tij, ai kërkoi që amendamentet e propozuara të përkrahen.
Pas kësaj deputetët shqyrtuan dhe përkrahën amendamentet, si dhe tekstin e Projektligjit me amendamentet e miratuara me 61 vota për, 15 abstenime dhe asnjë kundër.