Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...

E Marte, 24.10.2017




Sot, në një mbledhje të dytë të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër korrupsion, të drejtuar nga Albulena Haxhiu, ka raportuar ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.


Kryetarja e komisionit kërkoi nga ministri që të raportojë lidhur me marrëveshjen për drejtësinë të vitit 2015 dhe ecurinë e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Krahas kësaj, Haxhiu i shtroi dy pyetje ministrit Tahiri, lidhur me procesin e emërimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve serbë dhe lidhur me marrëveshjen se a ka pasur një listë me emra të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhur nga Serbia për tu emëruar pastaj në Kosovë.


Minsitri Tahiri, fillimisht raportoi lidhur me implementimin e marrëveshjes së vitit 2015 në mes të dy kryeministrave, kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.Tahiri tha se marrëveshja e Brukselit ka paraparë funksionimin e gjykatave në veri sipas ligjeve të Kosovës. Lidhur më këtë, ai tha se dëshmi është dekretimi i 53 gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë para presidentit Hashim Thaçi. Tahiri theksoi se nga sot shtrirja e sovranitetit me terma praktik po ndodh në gjithë vendin.


Pyetjes së kryetares Haxhiu nëse marrëveshja është kushtetuese, ministri Tahiri tha se kjo marrëveshje është në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.


Po ashtu, Tahiri theksoi segjyqtarët dhe prokurorët e dekretuar janë emëruar sipas proceduarve ligjore të konkurrimit dhe nuk ka asnjë shkelje ligjore. Po ashtu ai theksoi se nuk do të njihet asnjë vendim i marrë nga strukturat paralele.


Kryetarja Haxhiu nuk u pajtua më përgjigjen e ministrit duke konsideruar se marrëveshja për drejtësinë se është në shpërputhje me Kushtetutën. Deputetja Haxhiu tha se me këtë marrëveshje janë dy sisteme të drejtësisë. Ajo potencoi se nga dokumentet që ka siguruar shihet se Kosova ka pranuar që me këtë marrëveshje mbi drejtësinë t'i njeh të gjitha vendimet e gjykatave paralele dhe ka marrë emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Beogradi.


Miinistri Tahiri, ndërkaq u përgjigj duke thënë se betimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është bërë sipas procedurave të parapara dhe ligjeve të Kosovës.


Anëtarët e komisionit e paraqitën shqetësuesese paraqitjen e disa dokumenteve nga deputetja Haxhiu, duke e konsideruar të papranueshme dhe shkelje e parimeve bazë të kushtetutës.


Edhe deputeti Glauk Konjufca e ka quajtur antikushtetuese këtë marrëveshje, pasi sipas dokumentit të siguruar nga kryetarja, shihet se paska një aneks që tregon se ato emërime janë bërë nga politika dhe se aktet juridike të marra nga strukturat paralele do të njihen nga sistemi juridik.


Mendim të njëjtë kishte edhe deputeti i Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi, sipas të cilit ajo marrëveshje nuk është në frymën kushtetuese dhe se me vulën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, emërohen gjyqtarët dhe prokurorët serbë.​

legjislacioni