Lajmet e fundit

Nga mbledhja Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Mërkure, 18.10.2017




Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga kryetari Nait Hasani, ka shqyrtuar sot Raportin Vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, për vitin 2016.

Pas prezantimit të përfaqësuesve të këtij Këshilli, të cilët dhanë informata dhe të dhëna të detajuara lidhur me aktivitetet dhe punën e këtij institucioni, raporti me rekomandimet u përkrah për procedim në seancë plenare.

Në vijim, Komisioni shqyrtoi edhe Raportin Vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2016, i cili u prezantua nga kryetari i KPM-së, Adnan Merovci.

Pas një diskutimit të gjerë lidhur me këtë raport, me theks të veçantë për çështjen e ankesave, licencave, transmetuesve, frekuencave dhe çështjen e digjitalizimit dhe monitorimit të shërbimeve mediale audio-vizuele, Komisioni kërkoi sqarime të shumta edhe lidhur me rastet e shkeljeve dhe ankesave, si dhe për masat që janë ndërmarrë nga ta. U vlerësua ndërkaq se raporti nuk është kualitativ. Megjithatë, Komisioni e përkrahu atë për procedim në seancë plenare.

Krejtësisht në fund, Komisioni shqyrtoi edhe raportin vjetor të Radio Televizionit të Kosovës, për vitin 2016. Të pranishëm në këtë takimin ishin: kryetarja e bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi dhe anëtarë tjerë të bordit, si dhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, të cilët paraqitën disa nga sfidat me të cilat ballafaqohet ky institucion medial. Mes tjerash u përmendën mënyra e financimit të RTK-së, buxheti, mosdefinimi i pronës, digjitalizimi arkiv etj. Drejtuesit e RTK-së vlerësuan se ky medium vitin 2016 e ka përfunduar suksesshëm, duke konkluduar se është shënuar edhe rritje e audiencës, ndërsa në vazhdimësi shfaqën shqetësimin e tyre lidhur me aspektin financiar dhe domosdoshmërinë e nxjerrjes së Ligjit për RTK-në.

Anëtarë të komisionit, nga ana e tyre, dhanë vërejtje të shumta dhe sugjerime të ndryshme, ndërsa përmendën disa nga mangësitë në raport. Disa nga ta theksuan se ka tejkalime buxhetore dhe menaxhim jo të mirë të parasë publike.

Pas shterimit të diskutimit lidhur me çështjet që u ngritën, Komisioni procedoi raportin për shqyrtim në seancë plenare.

 

Nga mbledhja Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media