Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Jashtme mbajti mbledhjen e parë
E Hënë, 16.10.2017
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, i kryesuar nga Vjosa Osmani, kryetare, është mbledhur sot për herë të parë në këtë legjislaturë, duke shënuar kështu edhe konstituimin e tij.
Në këtë mbledhje, anëtarët e komisionit miratuan edhe planin e punës për sesionin vjeshtor.
Komisioni ishte unik në qëndrimin për të çuar përpara proceset dhe agjendën e punës e cila bie në fushëveprimin e tij.
Në mbledhje u potencua se një nga prioritetet e punës së komisionit do të jetë avancimi i diplomacisë parlamentare, në funksion të forcimit të bashkëpunimit dhe miqësisë me vendet e tjera, rritjes së njohjeve të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit në institucione dhe mekanizma ndërkombëtarë.
U bë e ditur se gjatë këtij tremujori, do të ftohen për raportim ministrat e resorëve që bien në fushëveprimtarinë e komisionit, përkatësisht drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Integrimit Evropian, por edhe të institucioneve të tjera qeveritare, përkitazi me tema dhe çështje të rëndësishme, të cilat vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura, siç është ajo e demarkacionit me Malin e Zi.