Lajmet e fundit
Veseli ftohet në Konferencën e kryeparlamentarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor
E Mërkure, 13.09.2017
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim ambasadorin e Hungarisë, Laszlo Markusz, nga i cili mori urimet për rizgjedhjen e tij në krye të Kuvendit.
Ambasadori hungarez i përcolli kryetarit Veseli ftesën e kryeparlamentarit hungarez për të marrë pjesë në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila do të mbahet në fund të tetorit të këtij viti në Budapest.
Kryeparlamentari Veseli pranoi me kënaqësi ftesën e homologut të tij hungarez, ndërsa falënderoi ambasadorin Markusz për kontributin e Parlamentit të shtetit të tij në ngritjen e kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës dhe forcimin e demokracisë parlamentare në vendin tonë.
Në takim ishin të pranishëm edhe zyrtarë të Parlamentit të Hungarisë, të cilët në kuadër të Projektit të Binjakëzimit i japin mbështetje administratës së Kuvendit.