Lajmet e fundit
Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit
E Shtune, 09.09.2017
Kuvendi i Republikës së Kosovës, me kërkesë të 45 deputetëve, është mbledhur sot në seancë të jashtëzakonshme, në të cilën ka zgjedhur Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, me kryeministër Ramush Haradinajn.
Seanca, e drejtuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, filloi me fjalën e të nominuarit për kryeministër, Ramush Haradinaj, i cili para deputetëve paraqiti parimet programore të qeverisë dhe kabinetin qeveritar.
Haradinaj tha se qeveria që ai pritet ta drejtojë, po trashëgon një situatë të vështirë në vend, si në planin e jashtëm, ashtu edhe të brendshëm.
Ai radhiti fushat kryesore të jetës dhe kategori të ndryshme shoqërore, të cilat, sipas tij, janë duke përjetuar gjendje të rëndë, duke filluar nga arsimi, shëndetësia, bujqësia, pastaj të rinjtë, gratë, sipërmarrësit etj.
"Ekonomia duhet të ketë rritje dhe investime, të krijohen vende të reja të punës, gjendja sociale të rregullohet me punësim, shëndetësia të shërohet dhe të sigurohet arsim cilësor për tregun e punës", theksoi Haradinaj.
Ai tha se programi qeverisës, para se t'u prezantohet deputetëve, do t'i nënshtrohet një diskutimi publik me shoqërinë civile dhe të gjithë të interesuarit e tjerë. Për Kosovën, sipas tij, është e rëndësishme konsolidimi i rendit dhe ligjit.
"Perspektiva ndërkombëtare e Kosovës, anëtarësimi në institucionet ndërkombëtare, në NATO, OKB dhe BE, është obligim i yni", shtoi Haradinaj, ndërsa konfirmoi forcimin e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, Haradinaj tha se Kosova merr përgjegjësitë e saj si faktor stabiliteti, ndërsa dialogun me Serbinë e konsideroi të paalternativë.
"Që të gjithë ne e ndiejmë peshën e misionit që e kemi para vetes. Besoni në këtë qeveri, të ekspertëve dhe të arriturave të tyre. Mund ta kthejmë shpresën, edhe të atyre që sot nuk kanë shpresë. Ju kërkoj votën tuaj për qeverinë, në mënyrë që t'i shërbej qytetarit të Kosovës", tha ndër të tjera në ekspozenë e tij, i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, duke prezantuar edhe përbërjen e kabinetit qeveritar.
Diskutimet e përfaqësuesve të subjekteve politike filluan me deputetin Enver Hoxhaj, i cili, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-AAK-Nisma, shprehu përkrahjen e plotë për kabinetin qeveritar të propozuar nga i nominuari për kryeministër, Haradinaj, si dhe parimet programore të prezantuara para deputetëve.
Glauk Konjufca nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, ndërkaq, e konsideroi të varfër prezantimin e koncepteve programore nga ana e Haradinajt, ndërsa në emër të grupit parlamentar që përfaqëson, kërkoi mocion, që të shkohet drejtpërdrejt në votim për qeverinë. Ky propozim u përkrah edhe nga kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
Enver Hoxhaj nga PDK-AAK-Nisma, ndërkaq, kërkoi që të vazhdohet me debat parlamentar.
Në këtë situatë, kryparlamentari Veseli kërkoi një pauzë, për konsultim midis përfaqësuesve të grupeve parlamentare.
Pas pauzës, kryesuesi i seancës bëri të ditur se do të procedohet me votimin e mocionit të propozuar nga GP i Vetëvendosjes, por kryetari i këtij grupi, Glauk Konjufca, bëri të ditur tërheqjen mocionit, pasi që, siç tha ai, mocioni tashmë e ka kryer efektin e vet.
Deputeti Pal Lekaj, në emër të GP PDK-AAK-Nisma, kërkoi mocion procedural me të njëjtën përmbajtje, pra ndalimin e debatit dhe shkuarjen drejtpërdrejt në votim për qeverinë.
Me 62 vota për dhe 50 kundër, Kuvendi vendosi që të ndërpritet debati dhe qeveria të hidhet në votim. Kjo bëri që deputetët të GP të Vetëvendosjes dhe të LDK-së, të lëshojnë sallën.
Në sallë ishin prezentë 62 deputetë dhe kryetari i Kuvendit procedoi me hedhjen në votim të qeverisë së propozuar nga mandatari Haradinaj. Me 61 vota për dhe një abstenim, Kuvendi zgjodhi Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, me këtë përbërje:
Kryeministër: Ramush Haradinaj
Zv/kryeministra: Behgjet Pacolli, Enver Hoxhaj, Fatmir Limaj, Dalibor Jevtiq, Dardan Gashi
Ministër i Financave: Bedri Hamza
Ministër i Shëndetësisë: Uran Ismaili
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit: Kujtim Gashi
Ministër i Integrimeve Evropiane: Dhurata Hoxha
Ministër i Drejtësisë: Abelard Tahiri
Ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë: Besim Beqaj
Ministër i FSK-së: Rrustem Berisha
Ministër i Infrastrukturës: Pal Lekaj
Ministër i Punëve të Jashtme: Behgjet Pacolli
Ministër i Punëve të Brendshme: Flamur Sefaj
Ministër i Diasporës dhe Investimeve: Dardan Gashi
Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale: Skender Reçica
Ministër i Arsimit: Shyqeri Bytyqi
Ministër i Tregtisë dhe Industrisë: Bajram Hasani
Ministër i Zhvillimit Ekonomik: Valdrin Lluka
Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor: Albena Reshitaj
Ministrër i Administrimit të Pushtetit Lokal: Ivan Todosijeviq
Ministër për Kthim dhe Komunitete: Dalibor Jevtiq
Ministër i Bujqësisë: Nenad Rikalo
Ministër i Zhvillimit Rural: Rasim Demiri
Ministër i Administratës Publike: Mahir Jagxhillar.
Pasi mori besimin e Kuvendit, kabineti qeveritar u betua para deputetëve.