Lajmet e fundit

Njoftim lidhur me prezencën e përfaqësuesve të mediave në galerinë e sallës plenare

E Enjte, 07.09.2017




Të nderuar përfaqësues të mediave,

Rritja e numrit të mediave në Kosovë kohëve të fundit, ka ndikuar në rritjen e numrit të përfaqësuesve medial të akredituar në Kuvend, e rrjedhimisht edhe në interesimin e tyre për të ndjekur seancat plenare të Kuvendit dhe aktivitetet e tjera.

Kuvendi është i përkushtuar tu krijojë përfaqësuesve të mediave hapësirë, qasje dhe lehtësira sa më të mëdha në përcjelljen e aktiviteteve të tij, por gjithashtu, mban edhe përgjegjësi për sigurinë e tyre gjatë qëndrimit në Kuvend.

Galeria (ballkoni) i sallës së seancave plenare, është i destinuar për kameramanë dhe fotoreporterë, si dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Megjithatë, kohëve të fundit Kuvendi ka toleruar qëndrimin në këtë hapësirë edhe për gazetarët, edhe pse kjo nuk është e paraparë në Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave e të publikut në punën e Kuvendit.

Tani, ky numër gjithherë në rritje i përfaqësuesve të mediave në këtë hapësirë, rrezikon të tejkalojë peshën e paraparë mbajtëse të saj, duke paraqitur rrezik permanent për shembje dhe njëkohësisht duke rrezikuar jetët e të pranishmëve.

Prandaj, në funksion të evitimit të këtij rreziku, si dhe në respektim të rregullores, me mirëkuptimin tuaj, gazetarët e akredituar mund të ndjekin punimet e seancave të Kuvendit nga hapësira e destinuar për ta (prapa sallës së seancave plenare), nëpërmjet televizorit dhe transmetimit të drejtpërdrejtë në ueb-faqen e Kuvendit.

Në galerinë e sallës së mbledhjeve plenare, ndërkaq, do të qëndrojnë vetëm kameramanët dhe fotoreporterët.

 

 

Njoftim lidhur me prezencën e përfaqësuesve të mediave në galerinë e sallës plenare