Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet

E Mërkure, 22.11.2017




Komisioni për Buxhet dhe Financa, i kryesuar nga LumirAbdixhiku, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën është shqyrtuar Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, i cili dha shpjegimet e nevojshme lidhur me projektligjin, duke vënë në pah ndikimin që do të ketë ai në zhvillimin ekonomik.

Me këtë rast, ministri Hamza tha se Projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm është paraparë të jetë mbi 2 miliardë euro, nga i cili do të gjenerojë një rritje ekonomike deri në 4.6 %. Duke ofruar sqarime të mëtejme lidhur me projektligjin, ministri vuri në dukje burimet financiare për realizimin e paraparë të të hyrave.

Të hyrat nga ATK-ja, sqaroi ministri Hamza, do të jenë 446 milionë euro, ndërkaq, nga Dogana e Kosovës priten të realizohen të hyra në vlerë prej një miliard e 175 milionë euro.

Duke folur për shpenzimet e parapara për vitin e ardhshëm, ministri i Financave tha se shpenzimet për paga dhe mëditje do të jenë 589 milionë euro apo 4.3 % më shumë sesa në vitin 2017. Për subvencione dhe transfere, vijoi ai, janë paraparë që të shpenzohen 525 milionë euro, kurse për shpenzime kapitale 687 milionë euro.

Pas kësaj, diskutuan anëtarët e komisionit, të cilët paraqitën vërejtjet dhe rekomandimet e tyre lidhur me projektligjin. Po ashtu, nga ministri Hamza ata kërkuan sqarime lidhur me disa nene të veçanta, për të cilat u përgjigj ministri.

Pas kësaj, projektligji u hodh në votim dhe me shumicë votash u përkrah në parim nga anëtarët e komisionit.

Mbledhja e Komisionit për Buxhet