Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Hënë, 30.10.2017




Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, si dhe në INTERPOL, ishin çështjet për të cilat raportoi sot në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, zv/kryeministri i parë, njëherësh ministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

Kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani, pasi falënderoi ministrin Pacolli për gatishmërinë e raportimit, ajo e njoftoi atë edhe për agjendën e punës së komisionit dhe gatishmërinë e tyre për një bashkëpunim të ngushtë në fushën e diplomacisë. Ministri Pacolli, i cili nga ana e tij po ashtu u shpreh në favor të një bashkëpunimi të ngushtë, raportimin e tij e nisi lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Me këtë rast, ai ndër të tjera theksoi: "Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, rëndon politikën e brendshme të vendit tonë, ndonëse marrëdhëniet me Malin e Zi janë shumë të mira".

Në vijim të fjalës së tij lidhur me këtë çështje, ministri Pacolli foli për vizitën e tij të realizuar kohë më parë në këtë shtet fqinj, gjatë së cilës tha ai, temë qendrore ishte demarkacioni. Lidhur me këtë ai njoftoi se, sipas përfaqësuesëve të shtetit të Malit të Zi, kjo çështje është kapitull i mbyllur, andaj, shtoi ai, duke pasur parasysh këtë qëndrim të tyre, ne nuk kemi edhe shumë alternativa.

Për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e kësaj gjendjeje, ministri i MPJ-së, Pacolli, vlerësoi: "Në rast se, Komisioni i ri, i cili është duke u marrë me këtë çështje, sjell fakte të reja se marrëveshja e arritur me Malin e Zi lidhur me demarkimin e kufirit nuk ka qenë në rregull, besoj shumë se kjo marrëveshje, mbase, do të mund të rishikohej".

Besimin tim, tha ai më tej, e mbështes në ndihmën dhe gatishmërinë e treguar nga ana e Malit të Zi, për integrimin e vendit tonë në mekanizmat ndërkombëtarë. Me këtë rast, ai kujtoi edhe faktin e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e këtij shteti, e cila, sipas tij, ka ndodhur në rrethana jo të favorshme për shtetin malazias. Në vijim të raportimit të tij, ai më pas foli për anëtarësimin në UNESCO. Lidhur me këtë ai sqaroi se vendi ynë nuk ka hequr dorë nga anëtarësimi në këtë institucion ndërkombëtar, por, samiti i fundit i kësaj organizate është mbajtur në rrethana të pafavorshme për vendin tonë. Me këtë rast ai përmendi tërheqjen e SHBA-së nga kjo organizatë, akt ky i cili, sipas tij ka tërhequr vëmendjen edhe të miqve tanë mbështetës. Po ashtu, si shkas i mossuksesit, sipas tij ka qenë edhe mosmiratimi i dy ligjeve nga ana e Kuvendit të Kosovës (Ligji për liritë fetare dhe Ligji për trashëgiminë kulturore).

Në fund të raportimit të tij, ai dha sqarime edhe për mos aplikimin në INTERPOL. Edhe për këtë, ministri Pacolli tërhoqi vëmendjen duke thënë se mos aplikimi nuk nënkupton heqje dorë nga anëtarësimi, por, sipas tij, duhet lobim edhe më i madh dhe më i koordinuar i të gjithë mekanizmave shtetërorë. Ai shprehu bindjen e tij se në sesionin e radhës, i cili do të mbahet në Abu Dabi, Kosova do të shënojë sukses. Duke iu referuar shkaqeve të mos aplikimit për këtë vit, ministri Pacolli vlerësoi se Kosova ka qenë e penguar edhe teknikisht (mungesa e vizave) që të jetë e pranishme gjatë punimeve të kësaj organizate.

Pas kësaj, ministri Pacolli u është përgjigjur edhe pyetjeve dhe shqetësimeve të anëtarëve të komisionit. Anëtarët e komisionit kërkuan që të jetë e njohur strategjia qeveritare për qasje ndaj këtyre sfidave, ndërkaq, lidhur me këtë, ministri i MPJ-së, Pacolli, njoftoi se Ministria që ai udhëheqë, është duke krijuar një Task Forcë, e cila do të merret kryesisht me koordinimin e punës për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Me këtë rast, ai kërkoi që edhe Komisioni për Punë të jashtme të jetë pjesë e këtij mekanizmi. Për sa i përket çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, ndërkaq, ai edhe një herë vuri në dukje se duhet pritur të gjeturat që do të ofrojë Komisioni i ri, i emëruar nga Qeveria për këtë çështje.

Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për hulumtimin parlamentar me temën: Rregullimi i lëshimit të fletëarresteve sipas të drejtës ndërkombëtare, realizuar nga KDI-ja, sipas kërkesës së Komisionit nga legjislatura e kaluar.
Këtë hulumtim para anëtarëve të komisionit e paraqitën përfaqësuesit e KDI-së: Artan Murati e Jeta Krasniqi, menagjere e këtij projekti.

Po ashtu, komisioni debatoi edhe për nevojën e formimit të grupeve të miqësisë që do të vejnë kontakte edhe me: Afrikën Sahariane, Panamanë, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme dhe Tunizinë.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme