Lajmet e fundit

Veseli falënderon eurodeputeten Lunaçek për ndihmën dhënë Kosovës

E Hënë, 30.10.2017




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim anëtaren e Parlamentit Evropian, njëherësh raportuese për Kosovën, Ulrike Lunaçek, në vizitën e saj të fundit në Kosovë në këtë cilësi.

Kryeparlamentari Veseli dhe raportuesja Lunaçek diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe për raportet e shkëlqyera midis Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Parlamentit Evropian, tashmë të avancuara në nivelet më të larta të bashkëpunimit.

Kreu i Kuvendit falënderoi znj. Lunaçek për mbështetjen e madhe dhe të pakursyer që ajo i ka dhënë Kosovës, jo vetëm brenda Parlamentit Evropian, por në gjithë veprimtarinë e saj të përditshme politike në vitet e fundit.

Duke e konsideruar atë zërin më të fuqishëm të Kosovës në Evropë, Veseli vlerësoi se vendi ynë do t'i jetë përherë mirënjohës asaj për kontributin e jashtëzakonshëm në avancimin e rrugës integruese dhe për zhvillimin e përgjithshëm.

Në këtë takim, Veseli e njohu politikanen e njohur austriake me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për përkushtimin e institucioneve të vendit për të çuar përpara procesin e integrimit evropian, ndërsa në rrafshin e brendshëm, për t'i dhënë hov të ri zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Ulrike Lunaçek, nga ana e saj, duke shprehur kënaqësinë e saj për arritjet e Kosovës në shumë fusha, theksoi përkushtimin për të mbështetur Kosovën nga cilido pozicion politik që gjendet, tashmë si një mike e dëshmuar e saj.

Veseli falënderon eurodeputeten Lunaçek për ndihmën dhënë KosovësVeseli falënderon eurodeputeten Lunaçek për ndihmën dhënë Kosovës