Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli: Kosova është faktor stabiliteti rajonal dhe ka të ardhme të sigurt evropiane
E Premte, 27.10.2017
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka marr pjesë në Konferencën e tetë të kryetarëve të Parlamenteve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, e cila zhvilloi punimet në Budapest të Hungarisë.
Tema kryesore të Konferencës së tetë ndërkombëtare ishin integrimet evropiane dhe siguria në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë sesionit të parë, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor do ta rrisë edhe më shumë paqen dhe do të jetë faktor për integrimin e gjithë qytetarëve pa dallim në familjen evropiane.
Kryeparlamentari Veseli tha se Kosova është duke punuar për përmbushjen e gjitha kritereve dhe standardeve të nevojshme për të përshpejtuar rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkim Evropian.
"Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është i paalternativë. Ne jemi duke punuar në përmbushjen të gjitha kriteret e nevojshme. Kosova është faktor stabiliteti dhe po vazhdon të fuqizojë dhe reformojë legjislacionin në harmoni të plotë me legjislacionin evropian. Bashkimi Evropian duhet të jap më shumë ndihmë dhe shtytje procesit të anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë aspekt dua të falënderoj shtetin hungarez si nikoqir i kësaj konference që ndihmon integrimin e Ballkanit Perëndimorë në gjitha proceset integruese", tha Veseli.
Ai po ashtu ka folur për sigurinë, duke theksuar se institucionet e sigurisë në Kosovë kanë kapacitetet e nevojshme për të luftuar të gjitha dukuritë negative dhe kanë bashkëpunim shumë të mirë me institucionet e sigurisë të vendeve fqinje.
Kryeparlamentari Veseli i bëri thirrje shtetit serb që të ndalojë përpjekjet për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë.
Në Konferencën e tetë të kryeparlamentarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor morën pjesë krerët e Kuvendeve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Serbia, ndërsa nikoqir i kësaj konference ishte kreu i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë.