Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...

E Premte, 27.10.2017




Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i udhëhequr nga Nait Hasani, kryetar, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar Projektligjin për kryeqytetin e Republikës së Kosovës.

Për të dhënë sqarime lidhur me kompetencat shtesë të kryeqytetit, në takim i pranishëm ishte zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bashkim Krasniqi , si dhe Riza Shillova, përfaqësues i Policisë së Kosovës.

Zëvendësministri Krasniqi prezantoi para komisionit kompetencat shtesë që kryeqyteti fiton nëpërmjet këtij projektligji. Ai tha se krahas kompetencave të përcaktuara me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, kryeqyteti, me ligjin e ri do ketë Njësinë e Policisë, spitalin, do të menaxhojë ndërmarrjet publike etj. Krasniqi tha se Projektligji për kryeqytetin paraqet implikime shtesë buxhetore.

Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Rizah Shillova, theksoi se janë dhënë komentet rreth projektligjit për kryeqytetin, duke u shprehur në favor të forcimit të kapaciteteve të Policisë për sigurinë në Prishtinë. Por, sipas tij, ky ligj duhet të jetë në harmoni me Ligjin për Policinë dhe Kushtetutën.

Ai tha se kompetencat e policisë rregullohet me Ligjin e Policisë dhe jo me ligje të tjera, siç parasheh Projektligji për Prishtinën. Prandaj, sipas tij, kjo duhet të harmonizohet me Ligjin e Policisë.

Anëtarët e komisionit, pas diskutimeve, unanimisht i dhanë mbështetje këtij projektligji për procedim të mëtejmë.

Në këtë takim është diskutuar edhe për nismën legjislative të komisionit për hartimin e Projektligjit për Radiotelevizionin e Kosovës, si dhe për Projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. U vendos që në përbërje të plotë komisioni të punojë në hartimin e këtyre dy projektligjeve.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...