Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Enjte, 26.10.2017




Në vazhdimin e mbledhjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari Kadri Veseli, u përkrah në parim Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-125 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.

Me këtë rast, Ahmet Isufi, nga grupi parlamentar i AAK-së, propozoi që shqyrtimi i dytë i këtij projektligji të bëhet me procedurë të përshpejtuar, me shmangie nga Rregullorja, duke kërkuar në vijim që Komisioni për Buxhet dhe Financa deri më 30 tetor ta paraqes raportin me rekomandime për shqyrtim të dytë në seancë plenare. Ndërkaq, kërkoi që shqyrtimi i dytë i këtij projektligji në Kuvend të bëhet më 31 tetor.

Këtë kërkesë e kundërshtoi deputeti Glauk Konjufca, duke paralajmëruar se grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk do ta përkrah propozimin e AAK-së. Ai tha se interesi i qeverisë është që ta kalojë sa më shpejt këtë projektligj me disa ndryshime, duke i quajtur shumë të dëmshme për vendin.

"Këtu u votua një buxhet, për të cilin Kosova detyrohet t'iu paguaj grupeve kriminale përmes aferave korruptive, që e kanë dëmtuar Kosovën. Ju sapo votuat për t'i dhënë 6 milionë euro grupeve kriminale", tha mes tjerash Konjufca.

Kundër këtij propozimi të AAK-së u shpreh edhe deputeti Avdullah Hoti, duke folur në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, Memli Krasniqi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, paraqiti qëndrimin pro shqyrtimit të projektligjit të buxhetit për vitin 2017 me procedurë të përshpejtuar.

Edhe Sasha Milosavjleviq (Lista serbe), Haxhi Shala (Nisma) dhe Albert Kinolli( 6+), duke folur në emër të grupeve parlamentare, u deklaruan pro propozimit për shmangie të rregullores lidhur me këtë projektligj.

Me 61 vota për, nga 89 deputetë gjithsej sa ishin në sallë, dhe 28 kundër, Kuvendi miratoi propozimin e AAK-së.

Në vijim, nën kryesimin e nënkryetarit Xhavit Haliti, Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e Raportit vjetor të auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për vitin 2016.

Para Kuvendit, raportin e paraqiti auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani, duke prezantuar në detaje opinionin, gjetjet kryesore dhe rekomandimet nga auditori.

"Kemi audituar dhe publikuar 105 raporte të auditimit, për 92 organizata buxhetore, ndër to 4 sosh janë ndërmarrje publike dhe 7 auditime të përfomancës. Kemi dhënë 96 opinione të auditimit lidhur me pasqyrat, vjetore individuale të organizatave buxhetore dhe opinionin për raportin financiar të qeverisë", sqaroi Auditori i Përgjithshëm.

Tutje, Osmani informoi Kuvendin se kanë dhënë 25 opinione të pakualifikuara, 58 opinione të pakualifikuara me theksim të çështjes, 5 opinione të kualifikuara, 7 opinione të kualifikuara me theksim të çështjes, dhe 2 opinione të kundërta. Sipas tij, nga totali i opinioneve, 85 për qind të tyre janë të pastra pozitive dhe 15 për qind janë me opinion të modifikuar, negative.

"Kemi gjetur pasqyrë të pasaktë të shpalosjes së organizatave të nivelit qendror në vlerë mbi 1000 euro.

Nuk është prezantuar borxhi publik dhe shkalla e zbatimit të rekomandimeve nuk është e kënaqshme", tha Osmani.

Duke përmendur faktin se janë gjithsej 1300 rekomandime, ai tha se krahasuar me vitin paraprak është shtuar numri i rekomandimeve për 13 për qind. Sipas tij, 26 për qind e tyre janë zbatuar plotësisht, 38 rekomandime nuk janë zbatuar, ndërsa 36 sosh janë zbatuar pjesërisht.

Mes tjerash Osmani sqaroi se i kanë rekomanduar qeverisë që të kërkojë nga organizatat buxhetore që të zbatojnë rekomandimet e auditorit. Tutje, ai shtoi se është rritur efikasiteti në ekzekutimin e buxhetit, duke folur në vijim edhe për shkeljet dhe gjetjet tjera.

Deputeti Mërgim Lushtaku, duke folur në emër të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, tha se Komisioni e ka adresuar këtë raport në Kuvend, duke përmendur edhe rekomandimet. Ai shtoi se Qeveria e Kosovës në një afat prej 30 ditëve duhet të dorëzojë Planin e Veprimit dhe adresimin e rekomandimeve të ZKA-së, në Kuvend, si dhe u kërkua nga deputetët që të miratojnë rekomandimet e ZKA-së, së bashku me raportin vjetor të auditimit.

Faton Topalli, duke folur në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se ky raport vë në pah shumë parregullsi, duke përmendur kështu papërgjegjësinë totale në implementimin e rekomandimeve, fshehjen e borxheve, shkeljet në prokurim, keqpërdorimin e financave publike, mangësitë në regjistrimin e pasurisë, etj. Ai tha se Kuvendi ka mundësi për ta detyruar Qeverinë për implementimin e rekomandimeve.

Ndërkaq, tutje paraqiti qëndrimin pro të këtij grupi parlamentar për raportin e ZKA-së.

Për përkrahje të këtij raporti dhe rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, qëndrimin e paraqiti edhe Avdullah Hoti,nga grupi parlamentar i LDK-së, duke vlerësuar mes tjerash se në bazë të këtij raporti është rritur kredibiliteti i punës së ZKA-së. Ai vlerësoi se rekomandimet të cilat janë dhënë, janë marrë seriozisht nga ana e qeverisë. Duke u ndërlidhur me diskutimin e deputetit Hoti, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, theksoi se çështja e prokurimit elektronik nuk është duke funksionuar në Kosovë.

Mërgim Lushtaku, nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, pasi ka shpalosur të dhënat nga raporti i ZKA-së dhe duke përmendur disa nga të gjeturat e auditorit, kërkoi zbatim të rekomandimeve të auditorit duke shtuar se duhet të funksionalizohet platforma elektronike e kontrollit publik.

Pas deklarimit pro të këtij raporti nga Verica Çeraniç, e cila foli në emër të grupit parlamentar Lista serbe, qëndrimin në emër të grupit parlamentar të AAK-së e paraqiti edhe Ahmet Isufi. Ai vlerësoi se krahasuar me të kaluarën ka një performancë më të mirë të këtij viti, ndërkaq vlerësoi lart raportin e auditorit. Enver Hoti, tha se grupi parlamentar Nisma e mbështetë këtë raport, duke theksuar faktin se auditori ka gjetur mangësi në procesin e prokurimit, menaxhimin e kontratave dhe në shumë fusha tjera, duke shtuar se këto shkelje nuk duhet të lejohen dhe se qeveria duhet të ndërmarrë masa adekuate.

Deputetët gjatë diskutimit të tyre lidhur me këtë raport, shpalosën një sërë vërejtjesh për organizatat buxhetore, bazuar në të gjeturat e auditorit. Ata, njëzëri kërkuan zbatim të rekomandimeve të auditorit, si dhe përgjegjësi për keqpërdorim të parasë publike, duke kritikuar mes tjerash edhe dobësitë që janë hasur në vlerësimin e tenderëve dhe në atë të regjistrimit të pasurisë, si dhe për shkeljet e evidentuara nga auditori në fushën e prokurimit.

Pas këtij diskutimi, Kuvendi me 72 vota për dhe 3 abstenime, miratoi Raportin vjetor të auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2016, së bashku me rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Krejtësisht në fund, u përkrahën edhe kërkesat e dy grupeve parlamentare (Lëvizja Vetëvendosje dhe grupi 6+) për ndryshimin e anëtarëve nëpër komisione, nga këto dy grupe parlamentare.

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit