Lajmet e fundit

Mbledhja plenare e Kuvendit

E Mërkure, 25.10.2017




Mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa në pyetjet e deputetëve u përgjigjën këta ministra: Abelard Tahiri, Pal Lekaj dhe Uran Ismaili.

Me këtë rast, fjalën e mori kryeministri Haradinaj, gjatë deklarimit të deputetëve në çështje jashtë rendit të ditës. Fillimisht, ai foli lidhur me disa tema të ngritura nga deputetët gjatë kësaj seance, me theks të veçantë edhe për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjet e arritura. Për të gjitha çështjet e rëndësishme që u ngritën nga deputetët, Haradinaj tha se në një afat të caktuar kohor do të raportojë në Kuvend, duke vlerësuar në vijim se Qeveria do të propozojë një plan për pozicionin e Kosovës për të gjitha këto çështje dhe do të procedohet në Kuvend.

"Që nga ardhja ime në qeveri kemi bërë kujdes të madh për ta kuptuar gjendjen rreth dialogut me Serbinë dhe marrëveshjet e arritura. Prandaj, në një afat të caktuar kohor do të informojmë Kuvendin mbi të gjeturat tona dhe gjendjen", tha kryeministri Haradinaj.

Pasi Kuvendi formoi Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, punimet u vazhduan me shqyrtimin e parë të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-125 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.

Me këtë rast, ministri i Financave Bedri Hamza, gjatë prezantimit të këtij projektligji dhe duke kërkuar mbështetjen e deputetëve, theksoi se në rishikimin e buxhetit janë vënë në prioritet çështjet kryesore.

"Jemi nisur nga parimi se proceset buxhetore do të bazohen në vlerësime reale për të siguruar mbarëvajtjen e stabilitetit makrofiskal. Besojmë se do të kemi realizim të mirë të planit në arkëtime të të hyrave buxhetore, me përjashtim të disa kategorive buxhetore. Rishikimi është përqendruar vetëm në anën e shpenzimeve buxhetore", tha ministri Hamza, duke shtuar në vijim se të hyrat buxhetore planifikohen në 1 miliard e 725 milion euro, ndërsa sipas tij, rritja ekonomike do të jetë 4 për qind.

Tutje, ai ka përmendur edhe sigurimin e pagesave për veteranët e luftës së UÇK-së, dhe tha se është prej 26 milionë euro. Ndërkaq, sa i përket çështjes së sigurimeve shëndetësore, ministri Hamza, tha se kjo çështje është shtyrë për shkak se nuk janë kryer të gjitha procedurat ligjore. Me këtë rast, ministri Hamza sqaroi se duhet të ndryshohet paraprakisht ligji, si dhe të përfundohen procedurat tjera si: çështja e pajisjeve të personave me kartela, çmimet e shërbimeve etj. Sipas tij, në momentin kur të krijohen parakushte ligjore, atëherë do t'i ndajnë mjetet. Në vijim, ai shtoi se për kategoritë e dala nga lufta është obligim ligjor i qeverisë që ta përfundojë këtë çështje.

Deputeti Lumir Abdixhiku, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, duke folur në emër të këtij komisioni, tha se është vlerësuar se projektligji përmbushë kushtet e parapara dhe me shumicë votash është aprovuar nga Komisioni dhe i rekomandohet seancës për miratim në parim.

Deputeti Dardan Molliqaj, duke folur në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, paraqiti qëndrimin e tyre kundër këtij projektligji, duke dhënë një sërë vërejtjesh. Lidhur me këtë, ai vlerësoi se projektligji është shumë i mangët, duke e krahasuar këtë fakt me atë të një kontabilisti. Sipas tij, mungon pjesa më e rëndësishme, ajo makroekonomike, ndërsa ka shtuar se qeveria e ka përshtatur buxhetin duke i lëvizur vetëm shpenzimet. Molliqaj ka theksuar faktin se dëmi është bërë te investimet kapitale dhe se sipas tij ka dëmtim të potencialit ekonomik të Kosovës. Molliqaj në vijim ka renditur edhe një varg vërejtjesh tjera, duke shfaqur kritika edhe për çështjen e autostradës së Gjilanit. Edhe deputeti Naser Osmani, duke folur në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shprehu qëndrimin kundër këtij projektligji, duke shfaqur një sërë vërejtje. Me theks të veçantë ai shprehu shqetësimin për heqjen e mjeteve për autostradën Prishtinë-Gjilan, si dhe për çështjen e sigurimeve shëndetësore.

Osmani tha se LDK-ja nuk pajtohet asnjëherë që mjetet e ndara sipas ligjit bazik, për sigurimet shëndetësore, të hiqen, duke theksuar faktin se është dashur të fillojë zbatimi i këtij ligji. Ai shtoi se sipas dokumentit të rishikimit kjo çështje na kthen në pikën zero. "Brengosja është që këto mjete nuk do të ndihmojnë ata që kanë nevojë për pagesat në shëndetësi, por i ndihmojnë, në thonjëza, veteranët e luftës, duke shtuar numrin e veteranëve për një votë më shumë", tha Osmani.

Ndërsa, Safete Hadërgjonaj, duke folur në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, shfaqi qëndrimin pro këtij projektligji. Ajo tha se i vlerësojnë përmirësimet të cilat janë bërë që ky buxhet të kthehet në shifër reale, ndërsa shtoi se nuk ka ndryshime tek të hyrat dhe se ka një performancë pozitive tek realizimi të hyrave, qoftë nga ATK-ja apo Dogana. Duke theksuar faktin se deficiti buxhetor është i përballueshëm, ajo tha se PDK-ja shpreh shqetësime lidhur me planifikimin jo të qëndrueshëm në nivel qendror dhe lokal, që ka të bëjë me planifikimin e buxhetit, me theks të veçantë në çështjen e infrastrukturës, duke shfaqur kritika për disa ministri që sipas saj nuk kanë pasur vullnet të realizojnë projekte. Më tej, Hadërgjonaj ka përmendur dhe vlerësuar edhe sigurimin e fondit të mjaftueshëm për kategorinë e veteranëve të luftës.

Qëndrimin pro Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2017, e paraqitën edhe Jelena Bontiq (Lista serbe), Blerim Kuqi (AAK), Enver Hoti (Nisma) dhe Albert Kinolli, 6+. Ata vlerësuan se ky buxhet i rishikuar është në përputhje dhe në harmoni me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve në shumë fusha.

Në vijim të mbledhjes, e cila është kryesuar nga kryeparlamentari, Kadri Veseli, është zhvilluar një debat i gjerë, në të cilin deputetët dhanë vërejtje dhe sugjerime të ndryshme.

Me këtë rast u vunë re dallime të thella ndërmjet përfaqësuesëve të pozitës dhe atyre opozitarë, ndërkohë që ministri i Financave, Hamza, herë pas here ishte i detyruar që të japë shpjegime lidhur me çështjet e ngritura.

Në debat lidhur me këtë projektligj u përfshi edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili shprehu mospajtim me qëndrimin e deputetit nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Pohimin e deputetit Abdixhiku, se rritja e numrit të veteranëve të UÇK-së dëmton buxhetin, kryeparlamentari Veseli, e cilësoi të pabazë dhe tendenciozë, me çëllim të përfitimit të votave dhe afirmimit të vetë deputetit, Abdixhiku.

Pas shterimit të debatit lidhur me këtë projektligj, Kuvendi nuk arriti të marrë vendim, ndërkaq, kryesuesi, vendosi që të ndërpresë seancën për të cilën tha se do të vazhdojë nesër nga ora 10:00.

Mbledhja plenare e KuvenditMbledhja plenare e KuvenditMbledhja plenare e KuvenditMbledhja plenare e KuvenditMbledhja plenare e Kuvendit