Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme...
E Marte, 24.10.2017
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, në mbledhjen e sotme, të cilën e drejtori kryetari Haxhi Shala, ka diskutuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Për të dhënë informacione më të hollësishme lidhur me kapacitetet ushtarake të saj, misionin dhe detyrat, procesin e pritshëm të transformimit, thellimin e bashkëpunimit rajonal, integrimin e komuniteteve pakicë, por edhe për prioritetet e Ministrisë së FSK-së në këtë fillim mandati, i pranishëm në këtë mbledhje ishte ministri Rrustem Berisha.
Gjatë fjalës së tij para anëtarëve të komisionit, Berisha bëri një elaborim zhvillimit të deritashëm të FSK-së dhe gjendjes aktuale, duke e konsideruar atë mjaft të mirë.
Duke folur për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, Berisha tha se po vazhdojnë përpjekjet për të kompensuar kohën e humbur, ngase, sipas tij, ky proces do të duhej të përmbyllej qysh në vitin 2014.
"FSK-ja e ka përmbushur mandatin e përcaktuar dhe ka arritur kapacitetet operacionale. Kjo forcë është e gatshme për tu transformuar ushtri. Armatimi dhe pajisjet janë të planifikuara mirë nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë", tha ministri i FSK-së.
Në vazhdim, anëtarët e komisionit ngritën një varg çështjesh dhe shtruan pyetje në adresë të ministrit, të cilat kishin të bënin me aspekte të zhvillimit dhe ngritjes së kapaciteteve të FSK-së, përbërjes shumetnike të saj, buxhetit etj.
Duke dhënë sqarime në çështjet e ngritura, ministri Berisha theksoi se buxheti i ministrisë për vitin e ardhshëm, në krahasim me vitin 2017, pritet të jetë për rreth 3 milionë euro më i lartë. Lidhur me stërvitjet dhe trajnimet për pjesëtarët e kësaj force, ai tha se ato bëhen në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Ndërkaq, sa i përket pjesëtarëve të saj nga komunitetet pakicë, Berisha tha se ata përbëjnë mbi 10 për qind të kësaj force.
Gjatë këtij raportimi, ministri Rrustem Berisha theksoi përkushtimin e tij për të lëvizur sa më shpejt në procesin e transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur, duke rritur kështu kontributin e saj si në sigurinë e brendshme, ashtu edhe në atë rajonale dhe më gjerë.
Në mbledhjen e sotme, komisioni miratoi edhe planin e vet të punës për sesionin vjeshtor.