Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 23.10.2017
Të mërkurën, më 25 tetor, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare, në të cilën do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.
Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga kryetari Kadri Veseli, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare.
Në këtë seancë, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, pritet të formohet Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, si dhe të shqyrtohet raporti vjetor i auditimit i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2016.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë, u shqyrtua edhe propozimi për shpalljen publike për një anëtar në Bordin për Ankesa.
Kryesia autorizoi administratën e Kuvendit që të shpallë konkursin, konform dispozitave ligjore.
Po ashtu, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.