Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 18.10.2017
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, në mbledhjen e sotme, nën drejtimin e Besa Baftiut, kryetare e komisionit, kishte në fokus takimin me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, për informimin dhe objektivat e kësaj ministrie.
Ministri Ismaili prezantoi strategjinë dhe objektivat e punës së tij si ministër, brenda programit të Qeverisë, si dhe sfidat që janë shtruar para kësaj ministrie.
Ky komision, theksoi ministri Ismaili, përmbledh një sektor bashkëpunimi më të gjerë sesa Ministria për Shëndetësi.
"Realisht, problematika në këtë ministri është mjaft e gjerë dhe në një pozicion jo të mirë dhe me sfida të mëdha, por unë do të përpiqem që brenda këtij mandati të krijojë një punë dhe strategji afatgjate, që të shërbejë edhe përtej këtij mandati", theksoi ministri Ismaili.
"Nëse shkurtimisht po i shpalos para jush disa nga problematikat dhe objektivat e mija për ndryshimin e tyre, kjo me qëllimin e mirë për të diskutuar me ju gjithë problematikën për të cilën ju keni punuar prej vitesh si komision dhe keni njohjen e plotë të kësaj problematike edhe si specialistë të mirëfilltë të fushës së mjekësisë", theksoi më tej ministri.
Të gjithë anëtarët e Komisionit, pasi e njohin mirë gjendjen e rëndë të sistemit shëndetësor, me radhë ngritën probleme të shumta si: problemin e sigurimeve shëndetësore, lidhur me buxhetin e tij, i cili prej vitesh është deklaruar publikisht për tu krijuar; kërkesën për rritjen e buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë, duke rishikuar që nga pagat për specialistët shëndetësorë e deri duke vendosur kritere të reja të vlerësimit të punës për punonjësit shëndetësorë për të gjitha sektorët.
Ata shtuan se ministria duhet të bëjë përpjekje jo vetëm për sigurimin e barnave, por edhe origjinën e tyre.
Sipas tyre, ministria duhet të vlerësojë drejt punën e këtij komisioni lidhur me monitorimin e Ligjit për Shëndetësi si dhe punën e palodhur që ky komision ka bërë për krijimin e Ligjit për Emergjencë, i cili duhet të vihet në zbatim në fillim të vitit 2018.
Anëtarët e komisionit kërkuan gjithashtu ndryshimin e koncepteve të punës në krejt sistemin shëndetësor dhe krijimin e praktikave të reja në të gjithë sistemin shëndetësor primar, sekondar dhe terciar, pasiqë, sipas tyre, krejt sistemi ka qenë i keq menaxhuar.
Duke vlerësuar me konsideratë të lartë seriozitetin dhe vlerësimin drejt të situatës për sistemin shëndetësor, ministri Ismaili, falënderoi deputetët, anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe i siguroi ata për një bashkëpunim të ngushtë në vazhdimësi.