Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim
E Marte, 17.10.2017
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, i kryesuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje, me ftesë të komisionit i pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, për të prezantuar programin legjislativ dhe prioritet e kësaj ministrie.
Ministri Gashi, paraprakisht potencoi se prioritetet të cilat ministria të cilën drejton ai, ia ka paraparë në program, janë kryesisht investimet në infrastrukturë, siç janë: sektori i sportit, kulturës, trashëgimisë kulturore, rinisë, si dhe të drejtave të autorit.
Në vazhdim, ai paraqiti planin legjislativ të ministrisë për vitin 2018, në të cilin parashihen: Projektligji për trashëgiminë kulturore, plotësim ndryshimi i Ligjit për sportin, Projektligji për menaxhimin e objekteve sportive, Projektligji për rini, Projektligjin për muzetë, si dhe plotësim ndryshimi i Ligjit për arkivat shtetërore.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe lidhur me Ligjin e punës praktike për të rinjtë.
Më pas, komisioni miratoi edhe planin e punës për sesionin vjeshtor.