Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Marte, 03.10.2017
Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetari Kadri Veseli, filloi me një minutë heshtje në shenjë nderimi dhe respekti për viktimat e sulmit në Las Vegas, si dhe për albanologun kanadez, Robert Elsie, i cili ka vdekur gjatë ditës së djeshme.
Në vijim, Kuvendi vazhdoi me çështje jashtë rendit të ditës, si dhe me pyetje parlamentare. Në çështjet që u ngritën nga deputetët është përgjigjur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, si dhe ministrat: Pal Lekaj, Besim Beqaj dhe Bedri Hamza.
Kryesimin e kësaj seance e vazhdoi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ndërkaq, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi propozim vendimin për formimin e 14 komisioneve parlamentare.
Tutje, Kuvendi vazhdoi punimet me interpelancën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ta informuar Kuvendin mbi akuzat publike të shfaqura ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.
Propozuesi i kësaj interpelance, Avdullah Hoti (LDK), duke dhënë sqarimet e nevojshme për thirrjen e kësaj interpelance, tha se duhet të sqarohen akuzat publike të qytetarëve të lagjes "Dardania" se ministri i MBPZH-së, Nenad Rikalo, ka keqtrajtuar qytetarët shqiptarë të kësaj lagjeje gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Hoti vlerësoi se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të udhëhiqen nga persona me duar të pastra dhe që nuk kanë rënë ndesh me ligjin, e jo nga personat që kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës. Duke kritikuar veprimin e kryeministrit Haradinaj për te mos e shkarkuar nga detyra ministrin Rikallo, ai tha se kjo tregon pafuqinë e tij në vendimmarrje, si rezultat i varësisë së plotë nga grupimi politik prej nga vjen ky ministër, gjë e cila sipas tij krijon pasiguri tek qytetarët. Ndërkaq, kërkoi sqarime nga qeveria se si janë trajtuar akuzat e këtyre qytetarëve lidhur me akuzat e ngritura për ministrin Rikallo.
"Ne e respektojmë parimin e prezumimit të pafajësisë përderisa nuk vërtetohet vepra. Por, në rastin konkret, kemi të bëjmë me veprime, ndaj të cilave populli i Kosovës është shumë i ndjeshëm, duke qenë se vetë ka vuajtur nga represioni dhe gjenocidi. Prandaj, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkon përgjigje nga Qeveria se si janë trajtuar deklaratat e qytetarëve që kanë ngritur këto akuza publike. Mosveprimi i kryeministrit në këtë rast përbën fyerje për qytetarët, përbën fyerje ndaj të gjithë atyre që mund të jenë maltretuar, sharë e fyer nga ministri Rikallo, nëse vërtetohen akuzat. Të gjithë ata që kanë pranuar të flasin para medieve, e kujtojnë ministrin Rikallo gjatë luftës të veshur me uniformë", tha Hoti.
Në vijim Hoti ka shpalosur mocionin e LDK-së lidhur me këtë, duke kërkuar nga kryeministri që ta shkarkojë ministri Rikallo dhe që institucionet përgjegjëse të hetojnë akuzat e ngritura nga qytetarët e lagjes "Dardania", ndaj ministrit Rikallo. Me këtë rast ai kërkoi nga deputetët përkrahjen e këtij mocioni.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë diskutimit të tij lidhur me këtë çështje, theksoi se menjëherë pas njoftimeve publike shqetësuese lidhur me akuzat ndaj ministrit Rikallo, ka kërkuar informacione zyrtare nga mekanizmat përgjegjëse. Me këtë rast, ai përmendi përgjigjen zyrtare që ka marrë nga drejtoria për inteligjencë e MPB-së, se nuk ka raste të raportuara në sistemin informativ të policisë së Kosovës. Ndërkaq, sipas tij, përgjigjja e prokurorisë speciale po ashtu ka qenë se nuk është evidentuar asnjë shënim apo rast me informacione për Nenad Rikallon. Haradinaj po ashtu ka përmendur edhe AKI-në, që sipas tyre nuk ka dorëzuar asnjë informatë për ministrin Rikallo në prokurorinë e shtetit. Edhe KMDLNJ, sipas Haradinajt, nuk ka ndonjë dëshmi apo provë që inkriminon Rikallon në krime luftë në vitin ‘98-‘99.
Në vijim, në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, foli Xhelal Sveqla. Ai tha se janë rreth 20 dëshmitarë të cilët kanë dëshmuar në Prokurori për të bëmat e Rikallos. Të gjithë dëshmitarët, sipas Sveqlës, kanë deklaruar se Rikallo gjatë kohës së bombardimeve vazhdimisht është parë me uniformë dhe kallashin e tij në supe.
"Banorët e lagjes "Dardania", ndër të tjera, përmendin edhe thyerjet e lokaleve, banesave, garazheve e veturave të shqiptarëve në Dardani. Po ashtu, ata përmendin se si Rikallo me kamion kanë shpërndarë armatim për serbët, banorë të Dardanisë. Deklarimet e këtyre përputhen dhe dëshmojnë se Rikallo ka qenë pjesë e krimeve. Përpos dëshmive të dëshmitarëve, ka edhe dëshmi për aktivitetin e tij dhe të familjes në spastrimin e shqiptarëve", theksoi Sveqla, duke shtuar se ministri serb duhet të përgjigjet për këto akuza para drejtësisë.
Deputeti Armend Zemaj, duke folur në emër të grupit parlamentar të LDK-së, theksoi se interes i përgjithshëm është që të kemi qeveri me duar të pastra, duke përmendur me këtë rast faktin se janë dhjetëra banorë të moshave të ndryshme që bëjnë të njëjtin përshkrim lidhur me të kaluarën e Rikallos.
Zemaj i bëri thirrje prokurorisë së shtetit, organeve të drejtësisë ta thonë fjalën e vet dhe ta qartësojnë pozicionin e ministrit Rikalo, duke kërkuar që të sqarohet fakti se deri ku janë zhvilluar hetimet.
Ndërkaq, Memli Krasniqi, shef i grupit parlamentar të PDK-së, tha se çfarëdo akuze që ndërlidhet me kohën e luftës në Kosovë, duhet të shqyrtohet hollësisht dhe në këtë drejtim nuk duhet të bëjë përjashtim askush, pavarësisht statusit. Sipas tij, kushdo që ka dëshmi që lidhen me luftën e Kosovës, duhet t'i ofrojnë ato tek organet përkatëse. Ndërkaq, në vijim ka përmendur faktin se Rikallo ka qenë edhe më herët i involvuar në politikë dhe se gjatë këtyre viteve ka bashkëpunuar me shumë njerëz të cilët edhe sot janë në Qeveri dhe Kuvend. Ai shtoi se askush nuk mund të jetë pjesë e Qeverisë, nëse ka qenë i përfshirë në krime. Dhe, nëse diçka e tillë, ndodh, sipas tij, kryeministri duhet të ndërmarrë masa të mënjëhershme.
Sasha Milosavljeviq, nga grupi parlamentar i Listës Serbe, tha se Lista Serbe është grup politik i përgjegjshëm dhe se duan që bashkërisht të punojnë për të ardhmen e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Ai tha se Lista Serbe etiketohet se nuk dëshiron të punojë në institucione, ndërkaq përsëriti faktin se ata janë grupi më i përgjegjshëm në këtë Kuvend.
"E keni arkivin dhe mund ta shihni se nëse ndonjëherë kemi qenë kundër asaj që është për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës".
Ndërsa, Ahmet Isufi, nga grupi parlamentar i AAK-së, tha se të gjithë ata qytetarë që disponojnë të dhëna, jo vetëm në rastin konkret, të nxirren para drejtësisë dhe të dënohen të gjithë ata që kanë bërë veprime jashtëligjore dhe kriminale. Ndërkaq, tha se çdo tentim për t'i dhënë ngjyrim politik më shumë mjegullon gjendjen se sa mund ta nxjerrë të vërtetën në shesh.
Bilall Sherifi,nga grupi parlamentar Nisma, duke përmendur faktin se kryeministri Haradinaj ka kryer punën e vet, meqë ka marrë informacione zyrtare, shtoi se nga ai moment mbetet çështje e sistemit të drejtësisë se si do t'i trajtojë provat. Sherifi vlerësoi se nuk duhet shndërruar parlamentin në gjykatë dhe nëse akuzat janë të vërteta, atëherë, sipas tij, organet gjegjëse duhet ta japin fjalën e vet.
Interpelanca vazhdoi me diskutime të deputetëve të tjera nga të gjitha grupet parlamentare.
Në fund të interpelancës, iniciuesi i saj, Avdullah Hoti, doli edhe njëherë para deputetëve, duke kërkuar votimin e mocionit.
Kryesuesi i seancës, hodhi në votim mocionin, i cili nuk u miratua nga Kuvendi. Kundër tij votuan 40 deputetë, 27 ishin për, kurse një abstenoi.