Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës

E Hënë, 02.10.2017




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, hapi punimet e seancës së sotme, në pikën e mbetur të seancës së jashtëzakonshme, të datës 10 shtator 2017, debat parlamentar lidhur me "Parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021".

Para se të fillonte me deklarimet e grupeve parlamentare, kryeparlamentari Veseli njoftoi Kuvendin për ndryshimet që kanë ndodhur me deputetët, për shkak të zgjedhjes së disa prej tyre në poste qeveritare.

Pas këtij njoftimi, deputetët e rinj bënë betimin.

Punimet vijuan me deklarimet e kryetarëve të grupeve parlamentare.

Drejtuesi i seancës ia kaloi fjalën deputetit të Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, i cili gjatë fjalës së tij tha se kryeministri tri javë më parë doli para gazetarëve dhe theksoi se nuk merr pjesë në një seancë ku të pranishëm janë vetëm 31 deputetë. Konjufca tha se demokracia dhe dispozitat parlamentare mundësojnë jo 31 deputetë, por vetëm 6 deputetë të bëjnë kërkesë për interpelancë dhe kryeministri duhet të paraqitet në Kuvend.

Duke folur për qeverinë dhe numrin e madh të ministrive, Konjufca tha se në këtë qeveri një ngritje dore kushton një ministri. Më tej ai shtoi se Haradinaj ka harruar se dikur ishte pjesë e një opozite të bashkuar dhe sot po bën atë të cilën dikur e kundërshtonte ashpër.

Ndërsa në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputeti Avdullah Hoti kërkoi zbatimin e rregullores, pasi që kjo seancë, sipas tij, duhej te vijonte kohë më parë. Ai theksoi se kjo është qeveria e parë në 17 vjet, që është votuar pa debat parlamentar. Kryeministri Haradinaj, tha ndër të tjera Hoti, nuk po dëshiron të jap llogari lidhur me atë se si është formuar Qeveria e Kosovës.

"Nëse ju nuk qëndroni për të dhënë llogari si është formuar qeveria, për pazaret politike, ne nuk do të qëndrojmë për votimin e marrëveshjes IPA. Pa opozitën, ligjet që kërkojnë 2/3 e votave të deputetëve, nuk do të arrijnë të realizohen, nëse kryeministri do të vazhdojë të injorojë partitë opozitare", theksoi Hoti.

Pas deklarimeve të dy grupeve parlamentare, VV-së dhe LDK-së, fjalën e mori Kryeministri Haradinaj, i cili midis të tjerave theksoi se nuk ka asnjë germë të nënshkruar me Listën Serbe, e cila, sipas tij, turpëron familjen dhe shtetin e tij.

Kryeministri Haradinaj deklaroi se nuk ka marrëveshje tjetër me Listën serbe përveç marrëveshje për bashkëqeverisje, ashtu siç i ka me partitë tjera.

Kërkesa për të mos pasur debat, por për të shkuar menjëherë në votim, sipas tij, ka ardhur nga VV dhe LDK, propozim ky i cili është votuar. Opozita, sipas tij, duhet të harrojë që mund të bëjë lojëra.

"Programi është ky që është. Kur të dëshironi të flasim për programin. Do të vijë dhe do të përgjigjem pikë për pikë, por jo debat jashtë këtij programi", theksoi Haradinaj.

Pas kësaj, kryeministri dhe anëtarët e qeverisë u larguan nga salla plenare.

Në fjalën e tij, deputeti Memli Krasniqi, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, theksoi se kjo seancë buron tek loja e opozitës në ditën që duhej të votohej qeveria, kur pozita kërkonte të debatohej, ndërsa opozita e kundërshtonte debatin.

"Ju jeni ata që keni kërkuar seancë të jashtëzakonshme dhe e keni ndërprerë, kurse sot po ju shohim në rolin e shantazhuesit ndaj qeverisë, duke vendosur kushte për të ardhmen", tha Krasniqi.

Në emër të Grupi Parlamentar të AAK-së, kryetari Ahmet Isufi theksoi se seanca e sotme nuk ka kuptim të vijohet me tej.

"Pozita e ka kërkuar të ketë debat, kurse opozita e ka kundërshtuar atë. Edhe vet grupet parlamentare opozitare, kur e kanë kërkuar këtë debat, nuk e kanë pasur kuorumin e domosdoshëm dhe kanë kërkuar shtyrjen e seancës, gjë e cila sot më duket pa kuptim", tha deputeti Isufi.

Në emër të Grupit Parlamentar të Nismës, kryetari i tij, Bilal Sherifi, e filloi fjalën e tij duke iu drejtuar deputeteve të opozitës me kërkesën që të flasin, pasi që, siç tha ai, parlamenti është për të folur, kurse qeveria për të punuar, "por mos na e ndalni edhe neve të drejtën për të folur".

Ndërsa Albert Kinolli, përfaqësues i Grupit 6+ tha se ky grup mbështet programin qeveritar dhe se qeveria duhet t'i ndihmojë komunitetet pa dallime.

Pas deklarimeve të grupeve parlamentare, seanca vijoi me fjalimet e deputetëve, ku kryesisht variuan midis akuzave dhe kundërakuzave, vijimit dhe mos vijimit të seancës.

Pas deklarimeve në foltore të deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, i cili akuzoi kryeparlamentarin Veseli për mënyrën e drejtimit të seancave plenare gjatë legjislaturës së kaluar, reagoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili mori fjalën në cilësi të deputetit.

Që në fillim kryetari Veseli theksoi se pikërisht Selmanaj ishte ai që dikur lëshonte gjithnjë kritika në drejtim të Kuvendit, por që u zbulua më pas se ishte pjesë e politikës.

Veseli tha se me marrjen e detyrës si kryetar i Kuvendit, është përpjekur t'u krijojë hapësirë dhe qasje të mjaftueshme të gjithë partnerëve. Ai shtoi se Kuvendi është institucioni i vetëm në Kosovë që ka krijuar hapësira maksimale për qasje nga mediat, shoqëria civile dhe publiku në përgjithësi.

"Kuvendi i Republikës së Kosovës ka shumë partnerë dhe donatorë. Njëri nga ta është USAID-i, i cili ndihmon si një nga organizatat më kredibile. Po ashtu nga shoqëria civile, KDI-ja ka lidhje mjaft të mira bashkëpunimi me Kuvendin në fushën e transparencës. Në televizionet tona shpesh shihja njërin prej personave të KDI-së, i cili e linte gjithë atë punë të mirë çfarë kemi bërë për transparencën dhe e gjeje duke sharë e fyer. E ky ishte Driton Selmanaj, i cili është përjashtuar nga KDI-ja. E ke tradhtuar shoqërinë civile, e cila meriton çdo respekt, por t'i je turpi i saj", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ndërsa deputeti Milaim Zeka, në fjalën e tij në Kuvend, kërkoi falje publike për fyerjet e ditëve më parë në drejtim të deputetes së LDK-së, Besa Gaxherri, si dhe deputetëve të tjerë të Kuvendit.

Më pas, diskutuan edhe shumë deputetë të tjerë nga radhët e pozitës dhe opozitës.

Nga vazhdimi i mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të KosovësNga vazhdimi i mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të KosovësNga vazhdimi i mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të KosovësNga vazhdimi i mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës