Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli fton për unitet dhe bashkëpunim të klasës politike

E Enjte, 07.09.2017




Kryetari i sapo zgjedhur për herë të dytë në krye të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar klasën politike kosovare për unitet dhe bashkëpunim në zgjidhjen e problemeve qenësore për të përmirësuar jetesën e qytetarëve të Kosovës.

Veseli ka thënë se do të përpiqet që zyra e kryetarit të Kuvendit të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve për unitet kombëtar, për bashkëpunim dhe mirëkuptim mes forcave politike parlamentare.

"Së bashku mund dhe duhet ta kthejmë Kuvendin e Kosovës nga vend inatesh personale në vend bashkëpunimi; nga shesh akuzash në forum idesh e ligjesh për zhvillimin e vendit. Nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të orientohemi në çështje të interesit strategjik të vendit, forcimin e shtetit, rikthimin e madh të besimit qytetar në institucione dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarit tone", ka thënë Veseli.

Çështjet që kanë rënduar situatën politike në dy vitet e fundit, sipas Veselit, nuk janë tema që mund t'i zgjidhë vetëm një parti politike, sepse ato janë çështje shtetërore që lidhen drejtpërdrejtë me të ardhmen sovrane dhe multietnike të Kosovës dhe jetën e qytetarëve.

"Sa më shumë vonohemi, humb Kosova. Sa më shumë konfliktohemi, vetëm sa ndjellim vetizolimin dhe mos zhvillimin tonë. Kemi shumë miq në botë, por kemi edhe skeptikë dhe kundërshtarë të shtetit tonë.

Është obligim i kësaj gjenerate të mbyllë çështje të hapura; është mençuri të largohemi nga kohëra dhe momente që mund të vejnë dilema në shtetin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve të Kosovës", ka thënë Veseli në fjalimin e tij pas zgjedhjes kryetar i Kuvendit.

Veseli i ka ftuar të gjitha partitë parlamentare që t'i harmonizojnë qëndrimet në 5 çështje jetike për progresin e Kosovës.

"1. Të kemi qëndrim unik për implementim të reformave që mundësojnë zhvillim ekonomik dhe punësim,

2. Të kemi qëndrim unik në implementimin e reformave në arsim dhe shëndetësi.

3. Të kemi qëndrim unik për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

4. Të kemi qëndrim unik në implementimin e kritereve për liberalizimin e vizave.

5. Të kemi qëndrim unik për agjendën tonë të integrimit euroatlantik dhe për dialogun me shtetin fqinj, Serbinë", ka thënë Veseli.

Ai ka shtuar se secili deputet është i domosdoshëm për krijimin e unitetit, sepse sipas tij, secili përfaqëson një pjesë të vullnetit të qytetarëve.

"Konsensusi është i mundur dhe i domosdoshëm sepse qëllimi që na bashkon është fuqizimi i shtetit të Kosovës. Ne duhet ta bëjmë këtë. Jemi të obliguar ta bëjmë. Për hir të qytetarëve të vendit tonë, të fëmijëve tanë dhe kombit tonë. Na priftë e mbara", ka thënë kryeparlamentari Veseli.

 

Kryeparlamentari Veseli fton për unitet dhe bashkëpunim të klasës politike